Hasani: Marrëveshja për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes s’mund të ndryshohet, mosprocedimi i saj për miratim në Kuvend, papjekuri totale

/cnt/019cc891-801b-7a03-851c-11c84214d798__m.webp

Marrëveshja për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes, nismës së presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump nuk u procedua për miratim në Kuvendin e Kosovës. Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme nuk e miratoi të martën projektligjin për marrëveshjen e nënshkruar nga ish-presidentja Vjosa Osmani më 22 janar, pasi Lëvizja Vetëvendosje […]

Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare, Enver Hasani, tha në një intervistë për Gazetën Express se kjo nuk mund të bëhet “asnjëherë”, duke e quajtur sjelljen e deputetëve të LVV-së në komisionin parlamentar “papjekuri totale”.

“Kuvendi mund të ndryshojë njëanshëm ligjet e veta, por jo edhe zotimet ndërkombëtare të Kosovës”, thotë ai.

Nëse deputetët kanë vërejtje për përmbajtjen e marrëveshjes, Hasani thotë se sipas standardit ndërkombëtar dhe kushtetues, “duhet ndjekur e njëjta procedurë sipas së cilës është lidhur marrëveshja ose traktati”.

“Kur nuk ekziston pëlqimi i palës tjetër, atëherë çdo përpjekje për ndryshim të traktatit ose marrëveshjes bazë është fyerje ndaj palës tjetër, joseriozitet i palës që ndërmerr atë hap dhe konsiderohet si dalje nga traktati ose marrëveshja, ligjërisht e nënshkruar nga shefi i shtetit të Kosovës, në pajtim me Kushtetutën dhe ligjin e vendit”.

Hasani thotë se Kosova “duhet ta sqarojë me palën amerikane nëse synon daljen nga zotimi për anëtarësim në Bordin e Paqes. Anëtarësimi në Bordin e Paqes nuk mund të bëhet ndaras nga pranimi i plotë i secilës dispozitë të Kartës së Bordit të Paqes”.

Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme nuk e ka miratuar Projektligjin për marrëveshjen për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes, me Lëvizjen Vetëvendosje që pati vërejtje për nenin 2 të projektligjit dhe kërkoi që të ndryshohet ai nen. A mundet Kuvendi ta ndryshojë përmbajtjen e një marrëveshjeje ndërkombëtare që tashmë është nënshkruar nga Presidentja, apo në aspektin juridik ajo duhet të ratifikohet vetëm si e tillë, pa ndërhyrje në tekst?

Hasani: Asnjëherë. Kjo është papjekuri totale. Deputetët duhet të pyesin departamentin ligjor në Ministrinë e Punëve të Jashtme, nëse nuk dinë, dhe ata do t’u tregojnë standardet ndërkombëtare se kur dhe si mund të ndryshohet një traktat i nënshkruar nga shefi i shtetit, shefi i qeverisë dhe ministri i jashtëm, por që nuk ka kaluar procedurën e ratifikimit në Kuvend. Kuvendi mund të ndryshojë njëanshëm ligjet e veta, por jo edhe zotimet ndërkombëtare të Kosovës.

Në rastin konkret bëhet fjalë për Kartën e Bordit të Paqes, e cila ka statusin e traktatit ose marrëveshjes ndërkombëtare sipas nenit 18.1 të Kushtetutës së Kosovës, që ka të bëjë me aleancat, si dhe çështjet politike dhe ushtarake.

 Nëse deputetët kanë vërejtje për formulime të caktuara (si në nenin 2), cili është mekanizmi i duhur: ndryshimi i projektligjit shoqërues apo rinegocimi i vetë marrëveshjes ndërkombëtare me palët nënshkruese?

Hasani: Sipas nenit 18.4 të Kushtetutës së Kosovës, që reflektohet edhe në Ligjin e Kosovës për Marrëveshjet Ndërkombëtare, “amendamentimi ose tërheqja nga marrëveshjet ndërkombëtare do të kenë të njëjtën procedurë vendimmarrjeje si ajo e ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare”.
Ky është standard ndërkombëtar dhe kushtetues i të gjitha vendeve të civilizuara, pra duhet ndjekur e njëjta procedurë sipas së cilës është lidhur marrëveshja ose traktati.

Cilat janë pasojat juridike dhe ndërkombëtare nëse një shtet tenton ta ratifikojë një marrëveshje me ndryshime të njëanshme në përmbajtje?

Hasani: Asnjë efekt juridik nuk prodhon për palën tjetër, përveç nëse ekziston një marrëveshje mes palëve, ose nëse pala tjetër më pas i pranon ndryshimet e tilla në traktatin ose marrëveshjen bazë.

Kur nuk ekziston pëlqimi i palës tjetër, atëherë çdo përpjekje për ndryshim të traktatit ose marrëveshjes bazë është fyerje ndaj palës tjetër, joseriozitet i palës që ndërmerr atë hap dhe konsiderohet si dalje nga traktati ose marrëveshja, ligjërisht e nënshkruar nga shefi i shtetit të Kosovës, në pajtim me Kushtetutën dhe ligjin e vendit.

Dalja nga një traktat ose marrëveshje ndërkombëtare, sipas Konventës së Vjenës për të Drejtën e Traktateve, bëhet sipas procedurës së parashikuar në vetë traktatin (neni 54). Në mungesë të një dispozite të tillë, dalja lejohet vetëm në raste të veçanta të përcaktuara nga konventa (neni 56).

A kërkohet sqarim me palën amerikane për daljen e Kosovës nga zotimi për anëtarësim në Bordin e Paqes, dhe a duhet respektuar në tërësi Karta e tij si kusht për anëtarësim?

Hasani: Kosova duhet ta sqarojë me palën amerikane nëse synon daljen nga zotimi për anëtarësim në Bordin e Paqes. Anëtarësimi në Bordin e Paqes nuk mund të bëhet ndaras nga pranimi i plotë i secilës dispozitë të Kartës së Bordit të Paqes.

Edhe këtu Kushtetuta e Kosovës është e qartë, sepse ndjek standardin e vendeve të civilizuara perëndimore. Në nenin 20.2 të Kushtetutës, që rregullon bartjen e sovranitetit, shprehimisht përcaktohet si vijon: “Nëse një marrëveshje anëtarësimi e ratifikuar nga Republika e Kosovës për pjesëmarrje në një organizatë ndërkombëtare në mënyrë eksplicite kërkon zbatim të drejtpërdrejtë të normave të kësaj organizate, ligji me të cilin ratifikohet marrëveshja e anëtarësimit miratohet me votat e dy të tretave (2/3) të të gjithë deputetëve të Kuvendit dhe ato norma kanë epërsi ndaj ligjeve të Republikës së Kosovës.”

Shumica e kualifikuar prej dy të tretash kërkohet si për anëtarësim në një organizatë ndërkombëtare, ashtu edhe për ratifikim të një traktati ose marrëveshjeje ndërkombëtare sipas nenit 18.1 të Kushtetutës. Këtu kemi të bëjmë me dy situata konkrete që lidhen me Bordin e Paqes./Periskopi

TË NGJASHME
Mosprocedimi i marrëveshjes për anëtarësim në Bord të Paqes, Selimi: U bllokua për shkak të VV-së

Mosprocedimi i marrëveshjes për anëtarësim në Bord të Paqes, Selimi: U bllokua për shkak të VV-së

Trafikuan 7.5 ton kokainë në Evropë, këta janë tre shqiptarët e arrestuar

Trafikuan 7.5 ton kokainë në Evropë, këta janë tre shqiptarët e arrestuar

“Luftë” – Zbulohen bisedat mes të akuzuarave për sulmin në Banjskë

“Luftë” – Zbulohen bisedat mes të akuzuarave për sulmin në Banjskë

Kryenegociatori i ri i Kosovës takohet me shefat e misioneve të shteteve BE-së në Prishtinë

Kryenegociatori i ri i Kosovës takohet me shefat e misioneve të shteteve BE-së në Prishtinë

Hamza takim me kryetarët e komunave që udhëhiqen nga PDK: Punë dhe koordinim i vazhdueshëm, për një Kosovë më të mirë

Hamza takim me kryetarët e komunave që udhëhiqen nga PDK: Punë dhe koordinim i vazhdueshëm, për një Kosovë më të mirë

SPAK godet grupin kriminal ndërkombëtar, sekuestrohen 12 milionë euro pasuri

SPAK godet grupin kriminal ndërkombëtar, sekuestrohen 12 milionë euro pasuri

Delegacioni nga Pakistani mbërrin në Teheran, synohet vazhdimi i negociatave SHBA-Iran

Delegacioni nga Pakistani mbërrin në Teheran, synohet vazhdimi i negociatave SHBA-Iran

Autoritetet shqiptare arrestojnë katër të dyshuar për zjarrin në pallatin shumëkatësh në Tiranë

Autoritetet shqiptare arrestojnë katër të dyshuar për zjarrin në pallatin shumëkatësh në Tiranë

Arrestohet babai i sulmuesit të shkollës në Turqi

Arrestohet babai i sulmuesit të shkollës në Turqi

U kap duke vozitur 182km/h me veturë pa regjistrim, dënohet rëndë shoferi

U kap duke vozitur 182km/h me veturë pa regjistrim, dënohet rëndë shoferi

0:000:00