Barcelona kanë nisur përgatitjet për afatin kalimtar të verës, tani që situata në hierarki është qartësuar.
Drejtori sportiv Deco do të ketë detyrën të sjellë disa përforcime të reja, ndërsa një nga prioritetet kryesore është afrimi i një qendërmbrojtësi të nivelit të lartë.
Klubi katalanas ka identifikuar tashmë objektivin e preferuar: Alessandro Bastoni.
Mbrojtësi i Interit dhe i kombëtares italiane shihet si profili ideal për të përforcuar prapavijën e skuadrës së Hansi Flick, e cila nuk ka qenë në nivelin e pritur gjatë këtij sezoni.

Interi është i hapur për të dëgjuar oferta për Bastonin, pavarësisht se ai mbetet një nga lojtarët kyç të skuadrës.
Kjo është një lajm pozitiv për Barcelonën, e cila ka nisur punën për të realizuar transferimin e 26-vjeçarit, sipas raportimeve të mediave sportive.
Deco dhe Flick janë në një mendje sa i përket profilit të Bastonit, duke e konsideruar atë si përforcimin ideal për këtë verë.
Ata kërkojnë një lojtar me karakteristika të ngjashme me Inigo Martinez, mungesa e të cilit është ndjerë pas largimit drejt Al-Nassr në muajin gusht. Ngjashmëria në stilin e lojës mes Bastonit dhe mbrojtësit bask e bën atë edhe më tërheqës për projektin e klubit.

Nga ana tjetër, Interi ende nuk ka përcaktuar një çmim zyrtar për kartonin e Bastonit. Sipas raportimeve, klubi italian nuk ka vendosur ende një vlerësim përfundimtar, pavarësisht spekulimeve të fundit në treg.
Barcelona shpreson të arrijë një marrëveshje paraprake me Bastonin në javët e ardhshme, çka do t’i lehtësonte negociatat me Interin. Megjithatë, pritet që klubi italian të kërkojë një shumë mbi 70–80 milionë euro, një shifër që mund të jetë sfiduese për katalanasit, sidomos nëse vazhdojnë të operojnë jashtë rregullit 1:1 të La Ligës.
Nëse Barcelona arrin të rikthehet brenda këtij rregulli deri në fund të sezonit, shanset për të realizuar këtë transferim do të rriteshin ndjeshëm. /Telegrafi/










