Apeli rrëzon vendimin e Themelores, paraburgim për tre personat që dyshohet se kishin fshehur rreth 1 milion € në automjet

/cnt/019d05c1-8462-79c7-93a2-14595caba6fa__m.webp

 Gjykata e Apelit ka marrë vendim, me të cilin ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës ndaj vendimit të shkallës së parë, duke caktimin e masës së paraburgimit ndaj policit Aurel Kaziu, si dhe Edmir Ahmagjokajt dhe Ardit Laskas, të dyshuar për shpërlarje të parave rreth 1 milion euro, shumë me të […]

“II. CAKTOHET masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 (tridhjetë) ditësh, e cila masë do t’iu llogaritet nga momenti i arrestimit të të pandehurve dhe do t’iu zgjat deri në përfundimin e afarit prej 30 ditësh, në përputhje me nenin 184 paragrafi 1, nënparagrafët 1.1 dhe 1.2, pika 1.2.1, 1.2.2, 1.2.3 të KPP-së, për shkak të ekzistimit të dyshimit të bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale të përshkruara në hyrje të këtij aktvendimi”, thuhet në aktvendimin e 18 marsit 2026.

Themelorja më 9 mars 2026 edhe në rivendosje kishte refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit ndaj të dyshuarve, raporton “Betimi për Drejtësi”, transmeton Periskopi.

Kundër këtij aktvendimi, në afat ligjor ka ushtruar ankesë Prokuroria Speciale për shkak të shkeljes së dispozitave të procedurës penale dhe vlerësimit të gabuar ose jo të plotë të fakteve.

Prokuroria kishte propozuae që Gjykata e Apelit të ndryshojë aktvendimin e ankimuar ashtu që ndaj të pandehurve të caktohet masa e paraburgimit, ose aktvendimi i ankimuar të prishet dhe çështja të kthehet në rivendosje.

Kurse, Prokuroria e Apelit e Kosovës, me shkresë ka propozuar që të aprovohet si e bazuar ankesa e Prokurorisë Speciale dhe ndaj të pandehurve të caktohet masa e paraburgimit.

Në ankesë, Prokuroria Speciale pretendon se aktvendimi i ankimuar është nxjerrë si rezultat i interpretimit dhe zbatimit të gabuar të standardit juridik të dyshimit të bazuar të paraparë me nenin 184 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe mbi një vlerësim jo të drejtë dhe jo tërësor të materialit faktik të paraqitur nga Prokuroria.

Prokuroria pretendoi se gjykata shkallës së parë ka arritur në përfundim të gabuar se nuk janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve.

“Me këtë rast, gjykata ka vlerësuar provat në mënyrë të fragmentuar dhe jashtë kontekstit të tyre kumulativ, duke aplikuar një standard provueshmërie më të lartë se ai i kërkuar në këtë fazë procedurale, gjë që ka ndikuar drejtpërdrejt në ligjshmërinë e vendimit të nxjerrë”, citohen pretendimet e Prokurorisë.

Në rastin konkret, PSRK pretendon se dyshimi i bazuar mbështetet në prova konkrete të cilat i ka ofruar në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit.

“Gjykata në arsyetimin e saj ka konkluduar se prokuroria nuk ka paraqitur prova që mbështesin dyshimin e bazuar, duke konsideruar se kallëzimi penal, raporti i Doganës, deklaratat e të dyshuarve dhe fotografitë e mjeteve monetare nuk kanë vlerë provuese”, thuhet të ketë pretenduar Prokuroria.

Një qasje e tillë, sipas Prokurorisë, paraqet interpretim të gabuar të fazës procedurale në të cilën ndodhet çështja penale, pasi që në këtë stad të hershëm të procedurës nuk kërkohet provim i plotë i veprës penale, por ekzistimi i rrethanave objektive që krijojnë probabilitet të arsyesshëm se vepra penale është kryer dhe se personat konkret janë të përfshirë në të.

“Vetë fakti se gjatë kontrollit kufitar është zbuluar një shumë jashtëzakonisht e madhe monetare, e fshehur në bunker të modifikuar brenda automjetit dhe e pa deklaruar para autoriteteve doganore, përbën rrethanë objektive të mjaftueshme që bindë një vëzhgues objektiv për ekzistimin e mundësisë reale të kryerjes së veprës penale dhe për përfshirjen e personave që ushtronin kontroll faktik mbi automjetin dhe transportin”, thuhet në vendim.

Sipas Prokurorisë, me lirimin e të pandehurve, me moscaktimin e asnjë mase, ekziston rreziku konkret i arratisjes duke pasur parasysh se janë shtetas të Shqipërisë, ekziston rrezikun i fshehjes apo i dëmtimit të provave dhe rreziku i pengimit të zhvillimit normal të procedurës penale.

Andaj, ka propozuar që Gjykata e Apelit të aprovojë si të bazuar ankesën dhe të vendon sipas propozimit të dhënë në ankesë.

Ndryshe, në vendimin e tij, Kolegji i Apelit ka konstatuar se gjykata e shkalles së parë gabimisht ka vlerësuar se në këtë çështje nuk mbështetet dyshimi i bazuar për kryerjen e veprës penale. Madje, në vendim thuhet se edhe Prokuroria në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, ka dhënë arsye të mjaftueshme lidhur me këtë.

Rrjedhimisht, Apeli ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar se Edmir Ahmagjokaj, Aurel Kaziu dhe Ardit Laska, me dashje dhe duke e ditur se pasuria e caktuar është e fituar përmes aktiviteti kriminal, me 24 shkurt 2026, kanë hyrë në territorin e Kosovës përmes Merdarës dhe gjatë kontrollit nga zyrtarët doganorë, pasi janë pyetur nëse posedonin diçka për deklarim, me vetëdije të plotë dhe duke ditur apo së paku duke pasur arsye të dinë se pasuria e fshehuri përbënte fitime të sigurua nga aktiviteti kriminal, kanë deklaruar rrejshëm se nuk kishin asgjë për të deklaruar.

Kjo sipas vendimit të Apelit dyshohet se është bërë me qëllim fshehjen dhe maskimin e burimit, ku pas kalimit të automjetit në skaner janë vërejtur dendësi të theksuara dhe vijëzime jo të zakonshme në pjesën e poshtme të automjetit, dhe gjatë kontrollit të detajuar, në një hapësirë të modifikuar në bunker, brenda janë gjetur 18 pako me bankënota të ndryshme e që sipas vlerësimit fillestar ishin rreth një milon euro.

Sipas Apelit, të pandehurit, në bashkëkryerje dyshohet se kanë fshehur dhe maskuar burimin dhe vendndodhjen e pasurisë që përbënte fitime nga aktiviteti kriminal, kanë transportuar dhe tentuar t’i transferojnë mjete financiare me qëllim paraqitjen e tyre si të ligjshme, kanë poseduar dhe ushtruar kontroll mbi këto mjete financiare, duke qenë në dijeni për origjinën e tyre të kundërligjshme.

Ndërsa, provat në këtë çështje sipas Apelit janë të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar lidhur me veprën penale për të cilën ngarkohen tre te pandehurit.

Rrjedhimisht, Apeli ka vlerësuar se ka bazë ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të pandehurve me arsyetimin se ekziston rreziku që ata të arratisen pasi që janë shtetas të Shqipërisë.

Po ashtu, u tha se nëse të pandehurit gjenden në liri, ekziston rreziku që ata mund të asgjësojnë, fshehin, ndryshojnë ose falsifikojnë provat ose edhe mund të pengojnë rrjedhjen e procedurës.

“Ky rrezik mbështetet edhe në veprimet konkrete të tyre: fshehja e shumë së konsiderueshme monetare në automjet, deklarimet e rrëshme dhe përpjekjet për të maskuar burimin e parave, si dhe planifikimi i udhëtimit dhe koordinimit mes të pandehurve për transportin e parave. Andaj, sipas vlerësimit të kolegjit penal të Gjykatës së Apelit caktimi i masës se paraburgimit ndaj të pandehurve në këtë fazë të procedurës penale është i arsyeshëm dhe i domosdoshëm për zbatimin me sukses dhe efektiv të kësaj procedure penale”, thuhet në vendimin e Apelit.

Po ashtu, Apeli ka thënë se ekzistojnë arsye ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tyre për shkak të peshës së veprës penale, ngase vepra penale për të cilën dyshohen dhe hetohen të pandehurit është e natyrës së rëndë dhe ka rrezikshmëri të lartë shoqërore.

“Në këtë rast, kemi të bëjmë me fshehjen dhe transportin e shumë së konsiderueshme monetare prej 1.000.000 euro, të cilat ishin të pa deklaruara dhe të fshehura në automjet, duke synuar të maskojnë burimin e tyre, i cili dyshohet të jetë nga aktiviteti kriminal. Këto veprime atakojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë interesin publik, duke dëmtuar masivisht të mirat e përgjithshme. Mënyra e kryetjes së veprës – përdorimi i një automjeti të modifikuar me bunker për fshehje të parave, deklarime të rrëshme të të pandehurve dhe koordinimi mes tyre tregon që veprimet ishin të qëllimshme dhe të planifikuara, gjë që rritë peshën e përgjegjësisë penale dhe tregon rrezikun e përsëritjes së veprës penale të natyrës së njëjtë ose edhe më të rëndë nëse ata ishin të lirë”, thuhet në vendim.

Rrjedhimisht, gjykata ka vlerësuar se të pandehurve duhet t’iu caktohet masa e paraburgimit ngase me lënien në liri, apo caktimin e ndonjë mase tjetër nuk do të mund të arrihej prezenca e tyre në procedurë penale, andaj e aprovoi ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës si të bazuar./Periskopi/

TË NGJASHME
“Do të habiteni me favoritin” – Bastet shpallin shanset për ndeshjen play-off midis Kosovës dhe Sllovakisë

“Do të habiteni me favoritin” – Bastet shpallin shanset për ndeshjen play-off midis Kosovës dhe Sllovakisë

Policia shqiptare arreston një kosovar, ishte i dënuar në Holandë për pastrim parash

Policia shqiptare arreston një kosovar, ishte i dënuar në Holandë për pastrim parash

Para tre vjetësh Kurti më zë e figurë thoshte se ka Asociacion, sot krenohet që se bëri (VIDEO)

Para tre vjetësh Kurti më zë e figurë thoshte se ka Asociacion, sot krenohet që se bëri (VIDEO)

BBC: Si po e fut lufta e Iranit Evropën në një tjetër krizë energjitike

BBC: Si po e fut lufta e Iranit Evropën në një tjetër krizë energjitike

Shtetasi shqiptar ekstradohet në Kosovë për keqpërdorim të dokumenteve në Vushtrri

Shtetasi shqiptar ekstradohet në Kosovë për keqpërdorim të dokumenteve në Vushtrri

Dogana asgjëson mallra të falsifikuara me markën tregtare “Ariel”

Dogana asgjëson mallra të falsifikuara me markën tregtare “Ariel”

Kurti për çështjen e presidentit: Po presim vendimin e Kushtetueses, duhet maturi shtetërore

Kurti për çështjen e presidentit: Po presim vendimin e Kushtetueses, duhet maturi shtetërore

Kurti pasi “lëshoi pe”: Dhamë një dritare 12-mujore, strukturat ilegale kanë mbetur vetëm në shëndetësi e arsim

Kurti pasi “lëshoi pe”: Dhamë një dritare 12-mujore, strukturat ilegale kanë mbetur vetëm në shëndetësi e arsim

Arrestohet një person në Prishtinë, policia i gjen kokainë në trup dhe 300 gramë në shtëpi

Arrestohet një person në Prishtinë, policia i gjen kokainë në trup dhe 300 gramë në shtëpi

Joseph: Avancimi i Kosovës drejt NATO-s, do ta detyronte Serbinë të ndryshojë qasje

Joseph: Avancimi i Kosovës drejt NATO-s, do ta detyronte Serbinë të ndryshojë qasje