Udhëtimi i besimit: Nga Gjermania në Letnicë me biçikletë
Periskopi
3 ditë më parë
Share
Letnicë, 29 prill 2026 Shkruan: Albert Gjoni Një pelegrine nga Gjermania ka përshkuar mbi 1600 kilometra me biçikletë për të arritur në Letnicë, duke e kthyer këtë rrugëtim në një dëshmi të rrallë të besimit, përkushtimit dhe qëndrueshmërisë shpirtërore. Susane Do, e nisur nga Kirchdorf im Wald, udhëtoi për 25 ditë rresht përmes disa shteteve […]
Letnicë, 29 prill 2026
Shkruan: Albert Gjoni
Një pelegrine nga Gjermania ka përshkuar mbi 1600 kilometra me biçikletë për të arritur në Letnicë, duke e kthyer këtë rrugëtim në një dëshmi të rrallë të besimit, përkushtimit dhe qëndrueshmërisë shpirtërore.
Susane Do, e nisur nga Kirchdorf im Wald, udhëtoi për 25 ditë rresht përmes disa shteteve evropiane, me një qëllim të vetëm: të arrijë në Letnicë, vend i njohur për traditën e pelegrinazhit dhe lidhjen e tij me figurën e Shën Nënës Terezë.
Intervista është realizuar më 23 korrik 2025 në Letnicë.
Ky udhëtim nuk ishte vetëm fizik. Sipas saj, ishte një përjetim i thellë shpirtëror.
“Doja të bëja një pelegrinazh në Kosovë dhe kërkova një vend të tillë. Letnica më tërhoqi menjëherë, edhe për shkak të lidhjes me Shën Nënë Terezën,” tregon ajo.
Ajo nuk është e panjohur me udhëtime të tilla. Në vitet e fundit, ka realizuar pelegrinazhe të ngjashme me biçikletë në vende të ndryshme si Fatima, Medjugorje dhe Jerusalem. Megjithatë, kjo ishte hera e parë që vizitonte Kosovën.
Rrugëtimi i saj nuk ka qenë i lehtë. Ajo përshkruan sfida të shumta, nga temperatura të larta dhe stuhi, deri te defekte teknike në biçikletë. Megjithatë, çdo vështirësi, sipas saj, ishte pjesë e një përvoje më të madhe.
Momenti i mbërritjes në Letnicë ishte i pazakontë. Zona përreth ishte përfshirë nga një zjarr në pyll, çka e bëri përvojën edhe më dramatike.
“Isha e lumtur që arrita, por në të njëjtën kohë nuk dija çfarë po ndodhte përreth. Ishte një ndjenjë e përzier,” kujton ajo.
Pavarësisht kësaj, përvoja e saj në Letnicë u shndërrua shpejt në një kujtim pozitiv, falë mikpritjes së njerëzve dhe atmosferës së vendit.
“Kam pasur vetëm takime pozitive. Njerëzit këtu janë shumë të hapur dhe të afërt. Kisha e Letnicës duket se i bashkon të gjithë,” thotë ajo.
Ajo thekson se një nga aspektet më mbresëlënëse ishte bashkëjetesa dhe respekti ndërmjet njerëzve të besimeve të ndryshme.
“Në këtë vend ndjehet një paqe e veçantë dhe një energji pozitive që reflektohet edhe te njerëzit,” shton ajo.
Për Susane Do, Letnica nuk ishte vetëm një destinacion. Ishte një përfundim i një rruge të gjatë dhe një përvojë që do të mbetet gjatë në kujtesën e saj.
Momenti i mbërritjes së saj në kishën e Letnicës është dokumentuar edhe në një fotografi, ku ajo shfaqet përpara objektit fetar pas përfundimit të udhëtimit.